Superiorja, Skënderbeu e Kukësi ruajnë diferencën mes tyre

04/03/2018 15:55

Skënderbeu e Kukësi kanë dalë të fituar nga dy sfidat e radhës të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, respektivisht ndaj Laçit në Korçë dhe ndaj Lushnjes në transfertë.

Kampionët në fuqi të Kukësit u duk se hasën vështirësi ndaj lushnjarëve në fushën e këtyre të fundit, por arritën të gjenin rrugën e golit në minutat e fundit të pjesës së parë, kur shënuan dy herë me anë të Idrizit dhe Gurit.

Por, po kaq i shpejtë ka qenë edhe reagimi i lushnjarëve, që me anë të Cankës ngushtuan diferencën, si për të treguar se do të mbeteshin ende në lojë, e jo të dorëzoheshin pa kushte përballë verilindorëve.

Në pjesën e dytë, rezultati nuk ndryshoi. Kukësi ngjitet në kuotën e 39 pikëve, në vendin e dytë, ndërsa Lushnja thuajse e ka prerë biletën për një kategori më poshtë, pasi ka grumbulluar vetëm 10 pikë në 23 javë të luajtura.

Në sfidën tjetër, kryesuesit e Skënderbeut ia kanë dalë me një “poker” në portën e kurbinasve, duke u ngjitur në kuotën e 53 pikëve, 14 më shumë sesa ndjekësit më të afërt të Kukësit. Me këtë fitore, korçarët i kanë dhënë edhe një “goditje” shpresave të Laçit për përfaqësim në kupat e Europës, teksa tashmë janë 3 pikë më pak sesa Flamurtari i vendit të tretë, por vlonjatët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Top Channel