Sezoni i ri i “Portokallisë” fillon sot në mbrëmje, në takimin e parë me publikun në ekranin e vogël, ndërsa në “Teatrin Portokalli”, shfaqja e parë është dhëne që të shtunën.

“Fillon sezoni, jemi me personazhe të rinj. Jemi energjikë. Mezi po e presin njerëzit, mezi po e presim vetë ne”, shprehet Gazmend Paja, aktor.

Kjo eufori e aktorëve duket që në prova, duke u bërë njësh me rolet e tyre, siç ndodh me çiftin e lumtur.

“O zemër, o shpirt, po janë punët e Zotit”.

Flori është gjithmonë aty, me rolet e veta identifikuese, por edhe me perzonazhe të rinj.

“Unë do të kap disa peshq të huaj që vijnë në Shqipëri, por do të kapim edhe ata peshqit e vegjël, që ushqejnë edhe peshqit e mëdhenj. Këto sistemet e ngritura nga peshqit e mëdhenj për të mbajtur atë piramidën e madhe në këmbë dhe do të ketë personazhe të reja”, thotë Florian Binaj.

Dy aktorë ndër më të hershmit në “Portokalli” shkëmbejnë batuta, duke treguar se bashkëpunimi është një ndër pikat më të forta të këtij spektakli humori.

“Rolet e mia janë po të njëjtat që kam pasur edhe sezonin e kaluar. Mulin kam, edhe Kapon te Sulltan TV”, thotë Ledio Lako.

“Kurse të paekspozuarit mund të më ftojnë mua si një qytetar i indinjuar”, thotë Marin Orhanasi.

“Ti shko si Lul Basha te ‘Të paekspozuarit’ për të treguar që kjo është pozita e krimit”, shprehet Ledio Lako.

“Ne jemi përgatitur për të bërë performancë shumë të mirë për publikun këtë sezon. Ka karaktere të reja. Ka personazhe të reja. Ka dhe frymë të re. Ka edhe energji të reja”, deklaron Salsano Rrapi.

Publiku është lajmëruar më herët që në “Portokalli” janë në kërkim të kapjes së “peshkut të madh”.

“Peshku janë duartrokitjet e publikut për ne. Megjithatë është për t’u parë të dielën në orën 21”, thotë Rezart Veleshnja.

Portokalli hyn në vitin e 15, duke lënë një pas një histori dhe eksperiencë, por edhe duke ruajtur freskinë.

“Kemi disa personazhe të reja, të cilët mbrëmë, përballjen me publikun e patën shumë interesante. Do të ekspozojmë edhe personazhe të tjerë, të cilët sigurisht nuk mund të ishin pjesë e skaletës, sepse ndryshe pastaj ‘Portokallia’ do të ishte shumë e gjatë. Sigurisht, qeveria mbetet në qendër të shigjetimit tonë komik e satirik”, deklaron Altin Basha.

Top Channel