Arsenali duket se ka hyrë në krizë të plotë rezultatesh. Ekipi i drejtuar nga francezi Arsene Wenger ka pësuar humbjen e tretë radhazi, e të katërtën në 5 ndeshjen e fundit në Premier League, këtë herë duke u dorëzuar përballë Brightonit në transfertë.

“Topçinjtë” e Londrës u gjendën shumë shpejt në disavantazh, kur Dunk shënoi për vendasit që në minutën e 7 të ndeshjes, një avantazh që do të thellohej edhe më tej në minutën e 26 të ndeshjes, me anë të Murray.

“Gunners”-at do të jepnin gjithsesi sinjale jete në fundin e pjesës së parë, kur blerja e re e klubit, Aubameyang do të shfrytëzonte një asist të dhënë nga shqiptari që aktivizohet në radhët e Zvicrës, Granit Xhaka, për të shkurtuar diferencën e golave, por vetëm kaq.

Edhe pas rikthimit të futbollistëve nga dhomat e zhveshjes për pushimin midis dy pjesëve të lojës, rezultati do të mbetej i paprekur deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, që edhe pse vonoi me mbi 7 minuta mbi kohën e rregullt, nuk mjaftoi aspak për të besuarit e Wenger, që të merrnin të paktën një pikë nga kjo transfertë.

Në 5 ndeshjet e fundit, Arsenali ka fituar vetëm ndaj Evertonit, ndërsa është mundur nga Sëansea, Tottenham dhe Man. City, përpara se të dorëzohej edhe përballë Brightonit.

Tashmë, vëmendja e “topçinjve” do të fokusohet në mesjavë, kur do t’iu duhet të përballen me Milanin në “San Siro” për ndeshjen e parë të 1/8-ave të Europa League.

Top Channel