Interesimi i Andres Iniestës në merkaton e këtij dimri për Manchester City-n u konsiderua thuajse një shaka kur doli në disa media dytësore, por tani po zbulohet se trajneri i “Citizens” ka një interes konkret që të ribashkohet me veteranin e mesfushës së Barcelonës.

Pep Guardiola po përgatit terrenin që t’i shtojë armatës së yjeve te skuadra kryesuese e kampionatit anglez, edhe emrin e lojtarit iberik.

Andres Iniesta nuk e ka fshehur asnjëherë se është intriguar në jo pak raste për të luajtur në një ligë tjetër, por në çdo dilemë ka prevaluar dashuria për ekipin e Barcelonës. Por, tani, në fundin e karrierës dhe me një zëvendësues që ka kushtuar 160 milionë euro si Coutinho, futbollisti spanjoll po provon të finalizojë lëvizjen e bujshme.

33-vjeçari firmosi me Barcelonën në tetor një kontratë të cilën drejtuesit e quajtën të përjetshme, por tani ka ndryshuar mendje dhe shpreson që në fund të sezonit, të kalojë te Manchester City nën urdhrat e Guardiolës. Iniesta, i cili ka luajtur më shumë se 700 ndeshje me katalanasit, zëvendësoi Guardiolën në mesfushën e Barçës kur ai la skuadrën “blaugrana” në vitin 2001.

Çdo klub i madh europian do të nxitonte për të joshur mesfushorin me miliona, por raporti i Iniestës me trajnerin e City-t pritet të jetë vendimtar në vitin kur do të mbyllë dhe karrierën me kombëtaren spanjolle.

Top Channel