NBA, James nuk i mjafton Clevelandit. Philadelphia i mposht

02/03/2018 12:09

Clevelandi dorëzohet përballë Philadelphias në përballjen e radhës së kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.

Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nënkampione humbi ndaj “76ers” me rezultatin 97-108, duke regjistruar humbjen e tretë në 5 ndeshjet e fundit.

Philadelphia ishte gjatë të gjithë kohës në udhëheqje të rezultatit në këtë sfidë, por në dy minutat e fundit u krijua përshtypja se Clevelandi do të kthente rezultatin, teksa Korver e ngushtoi diferencën e pikëve në -1, në 95-94 për Philadelphian.

Gjërat nuk shkuan siç priteshin për Cavaliers, pasi fundi i sfidës ishte i gjithi për “76ers”, që regjistruan një rezultat të pjesshëm 8-0, duke e fituar përballjen. Për Philadelphian, vendimtare në këtë fitore ishin 22 pikët e Redick, ndërkohë që për Cleveland, 30 pikët e LeBron James shërbyen vetëm për të pasuruar statistikat e tij.

Los Angeles Lakers “pushtoi” ndërkohë “American Airlines Arena” të Miamit. Skuadra kaliforniane mposhti “Heat”-at me rezultatin 131-113, ku spikati Isaiah Thomas, ish-basketbollist i Boston Celtics, që shënoi 29 pikë në këtë përballje.

Por, te “Lakers”-at kishte edhe lojtarë të tjerë që dhanë kontributin e tyre në këtë fitore, siç ishin Randle me 25 pikë, Ingram me 19 dhe Caldëell-Pope me 18 pikë. Miami u detyrua të dorëzohet përballë forcës së “Lakers”-ave, pavarësisht 25 pikëve të Wade, me skuadrën nga Florida që regjistroi humbjen e 8 në 12 ndeshjet e fundit, e tashmë nuk e ka më të sigurtë vendin e 8 në Konferencën e Lindjes.

Top Channel