I arrestuar për 613 kg kokainë, avokati: Klienti im punëtor që paguhej 250 mijë lek

02/03/2018 13:11

Me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, të mbetur në tentativë, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku dolën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve që vijojnë, Prokuroria kërkoi nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbylluara.

Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku u arrestuan për 613 kilogramët kokainë të sekuestruar më 28 shkurt në Durrës.

Avokatët Petrit Serjani dhe Maksim Haxhiaj mbrojnë dy të ndaluarit. Ky i fundit mohoi akuzat e ngritura kundër klientit të tij.

“Klienti im është punëtor i thjeshtë që paguhej 250 mijë lekë”, tha ai.

Sasia rekord e kokainës u kap në dyshemenë e modifikuar të një kontenieri, me banane të porositura nga kompania “Arbëri Garden”. Donaldo Lushaj u prangos si menaxher i kompanisë, ndërsa Armando Pezaku si drejtues i kamionit që transportoi drogën.

Top Channel