Edhe policia bashkiake i është bashkuar aksionit për mbjelljen e 100 mijë pemëve në Tiranë.
Ata i kanë dhuruar bashkisë 80 fidanë të llojit “lojfatë” e njohur ndryshe dhe si “Pema e Dashurisë” të cilët u mbollën në lulishten “Qemal Stafa”.
“Dua të kujtoj që vetëm para dy vjet e gjysmë, kjo ishte e gjitha një hapësirë e paaksesueshme, e rrethuar me gardh dhe ferra. Sot është e hapur dhe i ka dhuruar Tiranës një xhevahir në mes të bulevardit. Kështu që, le të kujtojmë se sa rrugë kemi bërë, por ama të pranojmë që kemi ende shumë rrugë për të bërë, derisa të kemi Tiranën e ëndrrave”, tha Veliaj.
Ai tha se Tirana është shumë pranë arritjes së objektivit për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja.
“Jam shumë i lumtur që e fillojmë ditën mbarë, duke mbjellë 80 fidanë Lojfatë; një pemë që sapo të hyjë Marsi do të çelë lule pa fund. Por, me një lule nuk vjen pranvera, as me një pemë, por me 100 mijë pemë mund të vijë. Ndaj, më vjen mirë që i jemi afruar një pranvere me 100 mijë pemë dhe teksa afron 21 Marsi, do të sigurohemi që e kapëm këtë rekord në të gjithë qytetin e Tiranës”, u shpreh ai.
Duke falënderuar punonjësit e Policisë Bashkiake për kontributin e tyre të çmuar në dobi të qytetit, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje që në këtë aksion të përfshihen edhe qytetarë dhe institucione të ndryshme.
Top Channel