Në familjen e vrasësit, bashkëshortja: Kemi lidhje me familjen e viktimës

01/03/2018 19:41

Entela Pirlasi, bashkëshortja e Kasem Pirlasit, të arrestuarit për krimin e dyfishtë në Vlorë, nuk beson se ai mund të ketë gisht në ngjarje.

Me lot në sy, në kushte të vështira ekonomike dhe me një fëmijë të sëmurë, Entela Pirlasi thotë se nuk ka as më të voglin dyshim, jo vetëm për përfshirje në krim, por as në tradhti bashkëshortore. Ajo e cilëson Kasem Pirlasin si një baba të përkushtuar dhe pranon se Hysnie Hoxhallarin e ka kushërirë, duke hedhur poshtë çdo aludim të mundshëm për lidhje intime me të.

“Ne e kemi kushërirë, babai im me babanë e saj, janë djalë halle, djalë daje. Unë nuk besova asgjë edhe pse e kisha kushërirë”, shprehet Entela Pirlasi.

Kasëm Pirlasi prej 5 vitesh, kohë kur ishte martuar, jetonte në familjen e bashkëshortes së tij Entela, në fshatin Strum të bashkisë së Roskovecit.

Ai jetonte me të ardhurat që kishte siguruar nga një periudhë pune në emigracion dhe me ato pak punë që mund të gjente në sektorin e ndërtimit ushqehen 7 pjesëtarët e familjes, bashkëshortja e Kasemit, dy vajzat e tij, njëra prej të cilave e sëmurë, vjehrra, vjehrri i verbër dhe kunata 40-vjeçare në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Kasem Pirlasi, 26 vjeç, nga Strumi dhe Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, me origjinë po nga Strumi, mendohet që janë njohur më herët në fshat, në kohën kur Hysnia nuk ka qenë e martuar.

Top Channel