Golden State viziton Muzeun në Uashington…por jo Shtëpinë e Bardhë

01/03/2018 14:31

Ashtu siç ishte deklaruar përpara disa muajsh, Golden State injoroi vizitën tradicionale në Shtëpinë e Bardhë, ku do të priteshin nga presidenti Donald Trump.

Skuadra kampione e NBA-së, që kishte një ndeshje me Wizards, në Uashington, preferoi që të shkojë në Muzeun e Historisë dhe Kulturës Afro-Amerikane, të shoqëruar edhe nga një grup prej 40 fëmijësh, me këta të fundit që vinin nga Seat Pleasand i Marylandit, qyteti i origjinës së Kevin Durant.

“Ishte një zgjedhje e lirë e basketbollistëve. Kaluam një ditë vërtet të bukur”, komentoi trajneri i Warriors, Steve Kerr.

Ndërkohë, vet Durant u shpreh entuziast për këtë vizitë në Muze, duke theksuar se nuk ishte aspak i zhgenjyer për faktin që skuadra e tij nuk vizitoi Shtëpinë e Bardhë.

“Në muze mësova më shumë gjëra. Reflektova shumë duke ardhur këtu së bashku me fëmijët që vinin nga qyteti im. Të gjithë duhet t’i bëjnë këto gjëra. U ndieva edhe unë si një fëmijë që ka mësuar diçka të re”, theksoi Durant.

Golden State, pas finales së madhe të NBA-së kundër Cleveland, nëpërmjet Stephen Curry dhe Kevin Durant bënë të ditur se nuk do të vizitonin Shtëpinë e Bardhë, me presidentin Trump që nuk e priti aspak mirë këtë vendim, duke reaguar nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ku deklaroi se kishte tërhequr ftesën për Curryn dhe lojtarët e tjerë të Golden State për në Shtëpinë e Bardhë.

Dita e vizitës në Muzeun e Historisë Afro-Amerikane për Golden State u mbyll me fitoren e kësaj skuadre ndaj Wizards 109-101, me Warriors që regjistruan fitoren e 7 në 8 ndeshjet e fundit.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA