Acari në Europë, probleme të rënda në qarkullim

01/03/2018 23:28

I ftohti i acartë vazhdon të mbajë të mbërthyer Europën. Reshjet e reja të dëborës detyruan anulimin e të gjitha fluturimeve në aeroportin e Dublinit, ditën e enjte dhe mbylljen e përkohshme të aeroportit të Gjenevës në Zvicër.

Probleme të mëdha pati edhe në shërbimin hekurudhor, ndërsa shumë rrugë nëpër qytetet europiane janë paralizuar. Rreth 2000 drejtues automjetesh u bllokuan për orë të tëra në një autostradë pranë qytetit francez të Montpellier.

Pjesë të mëdha të kontinentit të vjetër, do të vazhdojnë të dridhen nga sistemi siberian që ka sjellë temperaturat më të ulëta të viteve të fundit. Dhjetëra njerëz, shumë prej të cilëve të pastrehë, kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq, 21 vetëm në Poloni.

Viktima janë shënuar edhe në Francë, Spanjë, Itali, Britani dhe Holandë. Në kryeqytetin francez, Paris, autoritetet ngritën qendra emergjence për rreth 3 mijë të pastrehët që numëron qyteti.

Plazhet e Nices u mbuluan me një shtresë të trashë dëborë. Megjithatë moti ofroi edhe mundësi për argëtim, më shumë qytetarë në Britani dhe Francë, që bënë patinazh apo ski nëpër rrugë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA