Matura 2019, një provim më pak; vitin tjetër vetëm një lëndë me zgjedhje

28/02/2018 15:21

Ndryshon skema e Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019. Përmes një udhëzimi të firmosur më datë 14 shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit njofton se vitin që vjen, maturantët do të zhvillojnë vetëm 1 provim me zgjedhje, jo më 2, siç ka ndodhur që nga viti 2006, kur në sistemin e mesëm arsimor u aplikua për herë të parë testimi përmes parimit meritë-preferencë.

Pra, maturantët e vitit 2019 do të japin 2 provime të detyruara, njësoj si praktika klasike e maturës, që janë gjuha shqipe, letërsia dhe matematika dhe 1 provim me zgjedhje, që mund të jetë e ndryshme për çdo kandidatë.

Sipas këtij udhëzimi, lëndët me zgjedhje që mund të zgjedhë një maturant janë 8: Kimi; Biologji; Fizikë; Histori, Gjeografi; Qytetari, Filozofi, Sociologji dhe Ekonomi.

Për herë të parë, Ministria e Arsimit thotë se vitin e ardhshëm shkollor, maturanti ka të drejtë të zgjedhë cilëndo nga këto 8 lëndë, pra edhe nëse nuk e ka zhvilluar si lëndë gjatë 3 viteve të shkollës së mesme. Por, udhëzimi parashikon edhe një risi tjetër për ish maturantët. Kështu që ata që kishin ndër mend të testoheshin këtë vit, mund të presin vitin e ardhshëm, pasi mbetësit në 2 provime me zgjedhje, me udhëzimin e ri mund të japin vetëm 1 provim në 2019-n.

Edhe ata që kanë marrë notën 4 në 3 provime me zgjedhje, që kanë zgjedhur dikur, mund të japin vetëm 2 provime dhe të quhen kalues. Në çdo rast, në 2019-n kandidatët për student do të testohen për 1 provim më pak.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka gati edhe udhëzimin për datat e provimeve të maturës shtetërore për këtë vit. Gjuha shqipe dhe Letërsia do të zhvillohen në 8 qershor; matematika më 13 qershor; gjuha e huaj më 4 qershor dhe 2 provimet me zgjedhje më 20 qershor.

Pra, ky do të jetë viti i fundit kur matura shtetërore zhvillohet me 5 provime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA