Luis Enrique, paga e lartë e “pengon” të shkojë te Chelsea

28/02/2018 09:38

Luis Enrique dëshiron të rikthehet në pankinë verën e ardhshme dhe destinacioni i mundshëm për momentin duket Chelsea, edhe pse problemi më i madh është paga e tij.

Spanjolli, i cili ndër të tjera flet anglisht, për momentin duket emri më bindës për të drejtuar londinezët e Chelsea në fundin e këtij sezoni. Në vitin e tij të fundit në drejtimin e Barcelonës përfitonte një pagë vjetore të përafërt me 19 milionë euro, ndërkohë që nën drejtimin e tij Barcelona fitoi 2 kampionate, një Champions League dhe 3 Kupa të Mbretit.

Por, kjo vlerë duket relativisht shumë e lartë për drejuesit e Chelsea-t, që i paguajnë italianit Antonio Conte një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, më e larta në historinë e klubit londinez. Dhe kjo pagë e lartë mund të vështirësojë negociatat e drejtuesve të Chelsea-t për të arritur te spanjolli Luis Enrique.

Ndër alternativat e tjera që po diskutohen janë ish-trajneri i Dortmund, Thomas Tuchel dhe trajneri aktual i Napolit, Maurizio Sarri, të cilët kanë pretendime shumë të ulta ekonomike, por një dëshirë shumë të madhe për të trajnuar në Premier League.

Top Channel