Në Spanjë janë luajtur tri takime të tjera të vlefshme për javën e 26 të La Ligës, ku spikat fitorja në transfertë e Sevillas ndaj Malagës së vendit të fundit, sikurse edhe ajo e Getafes përballë Deportivo La Corunës, duke e lënë këtë të fundit sërish në zonën e ftohtë të klasifikimit.

Andaluzianët e Sevillas u ngjitën përkohësisht në vendin e pestë, duke parakaluar Villarrealin, në pritje të rezultatit të këtij të fundit që impenjohet ndaj Eibarit në transfertë.

Ndeshja më e rëndësishme sa i përket rivalitetit sportiv, ditën e sotme, ishte ajo mes Bilbaos dhe Valencias, që u mbyll në barazim 1-1, me ekipin nga “Mestalla” që mbetet e parrezikuar në vendin e katërt të klasifikimit, pa mundur gjithsesi të parakalojnë Realin e Madridit.

Veç sfidës Eibar-Villarreal, në këto momente po luhet edhe dueli mes Atleticos së Madridit dhe Leganesit, me “madrilenët e vegjël” që janë ndjekësi më i afërt i Barcelonës kryesuese të La Ligës.

Top Channel