Investigimi tronditës që i mori jetën gazetarit sllovak: Ndrangheta në politikë!

28/02/2018 21:07

“Mafia italiane në Sllovaki, tentakulat e saj mbërrijnë deri në politikë”. Ky është kryetitulli i artikullit të fundit, të papërfunduar, investigativ të gazetarit Jan Kuçiak, i publikuar mesnatën e kësaj të mërkure jo vetëm në faqen e internetit të medias ku punonte, “aktuality.sk”, por në mënyrë simbolike edhe nga një sërë mediesh të tjera.

Reporteri investigativ, tepër i ri në moshë, si dhe partnerja e tij Martina Kusnirova, u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre gjatë së dielës, në atë që shënoi vrasjen e parë të një gazetari në historinë e Sllovakisë.

Sulmi, për të cilin policia thotë se është kryer nga vrasës me pagesë, e ka lënë vendin tërësisht të shokuar.

Artikulli i fundit i Kuçiak, i publikuar pas vdekjes, dyshon për lidhje me mafies italiane dhe figura tepër të larta politike pranë kryeministrit sllovak, Robert Fico. Titulli i këtij artikulli shoqërohet me një foto të vogël me ngjyra të autorit, ndërsa një version edhe më i madh, këtë herë bardhezi, gjendet në krye të faqes së internetit.

Kuçiak pretendon se biznesmenë italianë që kishin lidhje me sindikatën kalabreze të krimit të organizuar, “Ndrangheta”, kishin hedhur rrënjë në Sllovakinë lindore e kanë përvetësuar prej vitesh fondet e BE-së për këtë rajon relativisht të varfër, në kufi me Ukrainën.

Këta burra, thotë gazetari, kanë siguruar lidhje biznesi me zyrtarë të lartë, përfshi njerëz shumë të afërt me kryeministrin. Njëri prej këtyre personave, ish-modelja e famshme Maria Troskova, ishte deri ditën e mërkurë “kryekëshilltarja shtetërore” e kryeministrit. Ndërsa një tjetër, ish-bosi i Troskovës, Viliam Jasan ka kryesuar Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Sllovakisë.

Të dy këta njoftuan përmes një deklarate të përbashkët se jepnin dorëheqjen nga rolet e tyre në qeverisjen e vendit, me efekt të menjëhershëm, derisa kjo çështje të hetohej. Sipas tyre, “përpjekjet nga disa politikanë dhe media, për të lidhur emrat tanë me këto krime të neveritshme” ishin të papranueshme. Ata thonë se po dorëhiqeshin në mënyrë që emrat e tyre të mos përdoreshin për luftë politike kundër kryeministrit Fico.

Edhe ministri i Kulturës, Marek Madariç, anëtar i partisë “SMER” të Ficos, dha gjithashtu dorëheqjen, duke thënë se kjo ishte e vetmja gjë që mund të bënte si ministër në vazhdën e vrasjeve.

BBC u përpoq të siguronte komente nga zyra e Ficos, por ky i fundit nuk ishte i disponueshëm. Megjithatë, përmes një konference për shtyp tejet të çuditshme, duke folur në krah të një tavoline me një milion euro “cash” – që supozonin shpërblimin e qeverisë për informacione mbi vrasësit, – Fico u duk i bindur.

“Mos i lidhni njerëzit e pafajshëm, pa prova, me një vrasje të dyfishtë”, u tha Fico gazetarëve. “Kjo po e kalon kufirin, e sigurisht që nuk mund të jetë më argëtuese”, shtoi më tej ai, duke akuzuar opozitën dhe medien se po e përdornin tragjedinë për të çuar më tej qëllimet e tyre.

Për Monika Todovën, një gazetare investigative e gazetës rivale të “aktuality.sk”, “Dennik N”, dhe mike e Jan Kuçiakut, 3 ditët e fundit kanë qenë të zymta. Ajo shfaqet e zhurmshme, aspak emocionale dhe praktike, por shihet me rratë të zinj nën sytë e saj.

“Pretendimet për përfshirjen e mafies mund të duken si fantashkencë – tha ajo. – Më dukej vetja si në ëndërr dhe të zgjohesha prej saj mëngjesin e së hënës për të mësuar se Jan kishte vdekur, se dikush e kishte vrarë në shtëpinë e tij. Nuk mund ta besoja. Jemi totalisht të shokuar nga kjo ngjarje”.

Todova shpjegon se, pavarësisht se punonin për medie rivale, ajo dhe Kuçiak shpesh shkëmbenin kontakte dhe informacione, pasi mbulonin të njëjtën fushë.

Kryeredaktori i saj, Matus Kostolny bie dakord me kryeministrin kur thotë se “është tejkaluar kufiri”. Por ai thotë se tashmë është detyra e qeverisë, policisë dhe drejtësisë për të garantuar që vendi të mos bëjë hapa prapa.

“Kjo është mundësia e fundit për të bindur njerëzit se Sllovakia nuk është një vend ku një gazetar të mund të vritet për shkak të detyrës dhe asgjë të mos ndodhë më pas”, tha Kostolny. “Kur politikanët bëhen pjesë e skandaleve të korrupsionit dhe asgjë nuk ndodh, atëherë ata janë në qeveri. Mendoj se është mundësia e fundit për ta bindur popullin se ne nuk jemi një shtet mafioz”.

Kryeministri Fico dhe qeveria e tij, të goditur nga një skandal për lidhje me një manjat pasurish të paluajtshme që është akuzuar për mashtrim dhe evazion fiskal, kishin miratuar protestat në rrugë më herët. Por, politikanët po përballen tashmë me një valë të re demonstratash që mund të jenë shumë herë më të mëdha. Aleati i tyre më i madh ndoshta mund të jetë moti, pikërisht të premten kur studentët përgatiten për një miting madhështor në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, me temperatura -4 gradë Celsius.

Megjithatë, ekziston një ndjenjë jorealizmi në vendin e vogël anëtar të BE-së dhe NATO-s. Vetëm pak orë pasi doli lajmi për vrasjen e gazetarit dhe partneres së tij, një zjarr i madh ra në çatinë e një ndërtese në Kosice, në lindje të Sllovakisë, aty ku ndodhen zyrat e Autoritetit Rajonal të Taksave. Zjarrfikësve iu deshën 24 orë për të shuar plotësisht flakët. Zyrtarët siguruan publikun se zjarri ishte aksidental, ndërsa Autoriteti i Tatim-taksave tha se zyra e tyre ndodhej në katin e mëposhtëm dhe asnjë dokument nuk është humbur. Por këto ditë duken tejet të çuditshme në Sllovaki. Dy të rinj u vranë dhe jo gjithkush beson te koinçidencat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA