Emigrantët shqiptarë në Greqi shprehen të kënaqur me heqjen e vulës apostile prej qeverisë greke.
Ata e konsiderojnë këtë një lajm të mirë, pasi nënkupton lehtësimin e procedurave të legalizimit, kursen kohë dhe pagesat.
Të pyetur nga Top Channel, emigrantët e përshëndesin këtë veprim të qeverisë greke dhe shprehin bindjen se dialogu mes dy vendeve do të sjellë rezultate pozitive në jetën e tyre.
“Shumë më mirë, ka lehtësime për ne dhe besoj se këtu shmangen edhe vonesat. Nuk është vetëm çështje parash. Një lehtësim shumë i madh për ne, bravo”, thotë një emigrant shqiptar.
“Heqja e vulës apostile është një sukses i qeverisë shqiptare në favor të emigrantëve shqiptarë”, tha një tjetër emigrant.
Impakti pozitiv i këtij vendimi u duk që ditën e parë të zbatimit të tij. Për herë të parë pas shumë vitesh, jashtë zyrës së legalizimeve dhe përkthimeve nuk u panë radhë ose prani e shtuar e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Jashtë kamerave, punonjës të kësaj zyre thanë se lajmi për heqjen e vulës apostile u përhap brenda natës, e gjatë paradites së të mërkurës, atje u paraqitën vetëm emigrantë, të cilët tërhiqnin dokumentet e dorëzuara më parë për legalizim.
Top Channel