Dimri vjen për të gjithë, por jo të gjithë e përjetojnë njësoj. Këto ditë acari janë më të ftohta për familjen e Nexhemdin Shirës në Bulqizë.
Me 4 anëtarët e familjes së tij, ai jeton pak metra larg minierës së kromit, por nuk mund të punojë sepse është invalid. Bashkëshortja e tij, Besnikja mban peshën më të rëndë pasi duhet të kursejë drutë për zjarr dhe ushqimet për fëmijët.
“Ky është mielli i fundit…burri as punon as ecën dot. Më kanë hequr edhe kempin e djalit se më kërkuan lekë…ky është çaj dhe grosh fasule..i kam ble dje. Tjetër gjë nuk kemi”, thotë Besnike Shira.
“Mbulohem me batanije, pasi nuk kemi dru të ndezim zjarrin. Nuk kemi ngrënë as bukë, nuk kemi”, thotë djali.
Në këtë shtëpi mbizotëron lagështira dhe nëse ndizet zjarri, muret e plasaritura nuk e ruajnë gjatë ngrohtësinë. Në verë e zonja e shtëpisë punon në stoqet e kromit por në dimër dëbora s’e lë as të punojë dhe shpesh as të jetojë siç duhet. Ndaj në netët më të gjata të vitit, asaj dhe fëmijëve s’u mbetet tjetër veçse të presin me sytë nga dera për ndihmë…
Top Channel