Kushtet e ashpra atmosferike në Kosovë janë bërë shkas për mbylljen e shkollave fillore e atyre të mesme gjatë kësaj të mërkure.

Këshilltari i Ministrisë së Arsimit, Valmir Gashi njoftoi se vendimi i marrë pas konsultimeve me prindërit mund të zgjatet edhe për të enjten, nëse moti nuk përmirësohet.

Dita e humbur e mësimit do të zëvendësohet po gjatë këtij semestri.

Meteorologët kanë paralajmëruar se e mërkura do të jetë një prej ditëve më të ftohta në Kosovë këtë vit, me termometrin që rrezikon të bjerë deri në minus 23 gradë Celsius.

Viktimë e valës së acartë ka rënë edhe vet kryeministri Ramush Haradinaj, avioni i të cilit nuk ka mundur të ulet dot në Aeroportin e Prishtinës. Haradinaj, bashkë me ekipin e tij janë detyruar të qëndrojnë në Sofje, një episod ky që vuri në lëvizje si Ambasadën e Kosovës në Bullgari, ashtu edhe misionin diplomatik bullgar në kryeqytetin kosovar.

Por, ndërkohë, edhe në Bullgari situata nuk është fort e mirë. Odiseja e kthimit të kreut të ekzekutivit kosovar erdhi në kohën kur Kuvendi i Kosovës u mblodh për marrëveshjen nevralgjike të Demarkacionit.

Haradinaj arriti sidoqoftë të jetë i pranishëm në seancë. Thëllimi e dëbora bënë që mbrëmjen e së martës të anulohen të gjitha fluturimet nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”, përfshirë ato për në Bazel, Londër e Stamboll.

Top Channel