Raportimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Komisionin e Edukimit u shoqërua me debate të forta mes saj dhe kryetares së këtij Komisioni, Albana Vokshi.
Kumbaro raportoi për gjendjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe zhvendosjen e artistëve nga Teatri Kombëtar.
“A e ndieni veten përgjegjëse që po shkatërrohen monumentet e kulturës? Nga prezantimi doli që është faji i natyrës”, iu drejtua Vokshi ministres Kumbaro.
“Në lidhje me objektet që në 3-4 shkurt pësuan dëme, ura e Hoshtevës në Zagori, Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës kishte evidentuar problematika në këtë urë. Është bërë një evidentim i detajuar i situatës. Prurjet e ujit në këtë periudhë të vitit janë të shumta dhe terreni është i paaksesueshëm në këtë zonë dhe ishte e pamundur që ndërhyrjet të bëheshin në këtë periudhë të vitit. Ekspertët konstatuan se ndërhyrjet duhet të bëheshin në një moment tjetër”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.
Si zgjidhje, ministrja e Kulturës thotë se janë dy mundësi për riparimin e urës 200-vjeçare të Ali Pashës.
“Që të bëhet restaurimi me rrënojat që janë në vend dhe konservohet ajo që mbetet, opsion tjetër, më i pazakontë është rindërtimi me atë që ka mbetur dhe materiale të tjera”, tha ajo.
Top Channel kishte paralajmëruar përmes një reportazhi në 5 janar se ura monument po shkonte drejt shkatërrimit, por një ditë më vonë grupi i ekspertëve të Ministrisë dhe Monumenteve të Kulturës garantoi se rrezikshmëria nuk ishte e nivelit të lartë dhe se ura ishte e qëndrueshme e do të resturohej së shpejti në një periudhë pa reshje.
Në të njëjtën datë me këtë urë u shemb edhe Ura e Orgockës mbi lumin Osum në Kolonjë.
Ura, e cila daton në fund të shekullit të 17 ishte shembur pjesërisht para viteve ‘90, por dy ditë më parë edhe pjesa e mbetur është marrë nga rrjedha e lumit. Ndërtimi sipas të dhënave i përket periudhës osmane e përveçse një monument kulture i kategorisë së parë shërbente edhe për lidhjen e disa fshatrave në zonë.
“Edhe ajo është në terren shumë të vështirë. Në vitin 1963 është shpallur monument kulture”, deklaroi Kumbaro.
Top Channel