Luigi Di Biaggio do të jetë ai që do të ulet në pankinën e përfaqësueses italiane deri në momentin që Federata Italiane e Futbollit (FIGC) të zgjedhë përfundimisht teknikun e ri.

Për momentin, kandidaturat për të marrë drejtimin e Të Kaltërve janë Antonio Conte, Roberto Mancini, Claudio Ranieri dhe Carlo Ancelotti, me trajnerin e Chelsea që duket se ka një avantazh kundrejt të tjerëve. Kjo është ajo që ka lënë të kuptohet me deklaratën e tij zv/presidenti i komanduar i FIGC, Alessandro Costacurta.

“Për mendimin tim, Antonio Conte është kandidati që mund të bëjë një punë më të mirë në stolin e kombëtares italiane. Me siguri do të flas me të pas disa muajsh. Për më tepër, Conte ka treguar se di ta bëjë mjaft mirë rolin e trajnerit të përfaqësueses dhe kjo u pa në Evropian”, tha Costacurta.

Sipas ish-mbrojtësit të Milanit, edhe kandidaturat e tjera janë të vlefshme dhe se ai do të ishte i qetë si me Mancinin, ashtu dhe me Ancelottin apo Ranierin, ndërkohë që përmendi edhe emrat e dy prej trajnerëve të Serisë A, Gasperini e Giampaolo, të cilët i vlerëson për aftësitë e tyre.

Top Channel