Tiranë, përfundon restaurimi i fasadave në pallatet e degraduara

27/02/2018 12:29

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje banorëve që të zgjedhin administratorët e tyre për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve.

Ai ishte i pranishëm në inspektimin e një projekti të “Fondit të Komuniteteve”, tek Pallatet Havvai, të parat që u ngritën në Tiranë gjatë periudhës së tranzicionit.

“E falenderoj shumë Ademin, një nga administratorët model që kemi në Tiranë, i cili ka ndjekur nga afër transformimin, si dita me natën, të një prej lagjeve më të populluara e më problematike të qytetit. Pallati që kemi në sfond është ndërtuar në fillim të viteve ‘90, ndryshe njihen si Pallatet Haëai, të amortizuar prej kohësh, të ndërtuar pa cilësi. Sot, siç më thanë banorët, u duket sikur kanë hyrë në shtëpi të reja. Falë Fondit të Komuniteteve pallati u vesh me sistemin kapotë, ka termoizolim, dhe çdo qindarkë e shpenzuar është bërë me transparencë me qytetarët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi edhe qytetarët e tjerë që të zgjedhin administratorët e pallateve, si e vetmja mënyrë për të bërë mundur përfitimin nga Fondi i Komuniteteve.

“Inkurajimi im është për çdo banor, së pari të zgjedhin administratorin, siç e kanë bërë 2700 pallate në Tiranë, ta bëjnë edhe të tjerat, dhe të vijnë në bashki, të aplikojnë; gjysmën e fondit e jep bashkia, gjysmën banorët. Ku ka bashkëpunim, ka edhe solidaritet. Nuk ka nevojë të kesh doktoraturë të bësh ndryshime të vogla në komunitet. Gjithmonë, Tiranës i ka ardhur e mira dhe ndryshimi nga njerëzit e thjeshtë, që bëhen bashkë për të bërë gjëra të bukura”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA