Kupa Davis do t’i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor në të ardhmen. Ajo që e konfirmoi këtë është vetë Federata Ndërkombëtare e Tenisit, sipas së cilës, ndryshimet në formatin e këtij kompeticioni do të hyjnë në fuqi duke nisur nga viti 2019.
Ideja është krijimi i një lloj Botërori për kombëtaret e tenisit, që do të zëvendësojë evenimentin e përvitshëm të Kupës Davis. Kjo ngjarje e re tenistike do të zhvillohet në një qytet të vetëm dhe në të do të marrin pjesë 18 skuadra. Ky projekt do të diskutohet në Mbledhjen e ITF-së që do të zhvillohet në muajin gusht, në Orlando. Që të miratohet, formati i ri duhet të marrë 2/3 e votave në këtë mbledhje.
Për projektin e ri të Kupës Davis foli Presidenti i ITF-së, David Haggerty, i cili konfirmoi se është arritur një akord bashkëpunimi prej 25 vitesh me kompaninë e investimeve Kosmos, pjesë e së cilës është edhe mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique. Kjo kompani, gjatë këtyre viteve do të investojë 3 miliardë dollarë.
“Ajo që kërkojmë është të krijojmë një fund sezoni triumfues me tenistët më të mirë të botës që përfaqësojnë vendet e tyre”, tha Haggerty.
“Do të jetë një ndryshim i plotë për këtë sport. Formati i ri i Kupës Davis parashikon një fazë grupesh dhe më pas ndeshje me eliminim direkt. Nuk do të ketë më 5 ndeshje mes skuadrave, siç ndodh në formatin aktual, por vetëm 3. Dy në lojën individuale dhe një në lojën dyshe dhe ndeshjet do të jenë gjithnjë me 5 sete. 16 skuadra do të hyjnë automatikisht në fazën finale, ndërsa 2 të tjerat do të marrin ftesë nga ITF.
Top Channel