Pas optimizmit paraditen e së hënës, te Paris Saint Germain u rishfaq shqetësimi për Neymar. Klubi francez doli me një komunikatë për shtyp ku theksonte se braziliani nuk ka vetëm një dëmtim të ligamentit të jashtëm të kaviljes së djathtë, por edhe një dëmtim të metatarsës së pestë dhe me shumë mundësi nuk do të luajë ndaj Realit të Madridit.

Në Francë tashmë ka filluar të flitet për lojtarin që mund të zëvendësojë Neymar në sfidën me madrilenët dhe emri që po qarkullon më shumë është ai i Angel Di Marias. Është e përditshmja “L’ Equipe” që flet për mundësinë e aktivizimit të argjentinasit në treshen sulmuese të Paris Saint Germain, së bashku me Mbappe dhe Cavani. Pikëpyetja që ngre “L’ Equipe” në këtë pikë është se në cilin krah do të luajë Di Maria, në të majtin apo të djathtin.

Di Maria nuk është aktivizuar shumë nga Emery në Ligën e Kampioneve në këtë sezon, por ka shfaqur një rendiment të mirë në kompeticionet e tjera ku merr pjesë Paris Saint Germain: kampionat, Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës.

Top Channel