NBA, të mëdhatë nuk gabojnë

27/02/2018 10:35

Të mëdhatë e NBA nuk gabuan në ndeshjet e tyre te radhës. Skuadra kampione e NBA, Golden State, mposhti New York Knicks, duke iu afruar Houstonit në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit.

Në “Madison Square Garden”, skuadra kaliforniane fitoi me rezultatin 125-111, në një sfidë ku vendimtare ishte perioda e tretë, të cilën Golden State e mbylli 39-18. Klay Thompson me 26 pikë dhe Kevin Durant me 22 pikë e 9 topa në tabelë ishin ata që drejtuan Warriors drejt fitores së 47 sezonale.

Toronto e pati të lehtë sfidën me Detroit Pistons, të cilën e fitoi me rezultatin 123-94, një sukses që i jep mundësi skuadrës kanadeze të qëndrojë në krye të renditjes së Konferencës së Lindjes. Në “Air Canada Center”, Raptors nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren, pasi e dominoi ndeshjen gjatë gjithë kohës. 20 pikët e DeMar DeRozan i mjaftuan Torontos për të marrë këtë fitore, ndërkohë që për Pistons spikati Andre Drummond, me 18 pikë e 18 asist.

New Orleans nuk ndalet. Skuadra e Pelicans mposhti Phoenix Suns me rezultatin 125-116, falë një Anthony Davis fenomenal, i cili e mbylli këtë ndeshje me 53 pikë e 18 topa në tabelë. Phoenix gjatë kësaj sfide krijoi një avantazh prej 14 pikësh, por që nuk diti ta administrojë. Davis Booker shënoi 40 pikë dhe rrëmbeu 10 topa në tabelë, por që nuk i shërbyen skuadrës së Suns.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Boston mundi Memphis 109-98, Houston fitoi me Utah Jazz 95-85, ndërsa Oklahoma City mposhti Orlandon me rezultatin 112-105.

Top Channel