Mungojnë votat për Demarkacionin? Veseli, i bindur për ratifikimin

27/02/2018 18:09

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se të mërkurën do të ratifikohet marrëveshja për shenjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pavarësisht se ende nuk janë siguruar të gjitha votat.

Kreu i legjislativit shpreson se ata që janë kundër kësaj marrëveshjeje do të reflektojnë dhe do të votojnë pro saj.

“Unë di me së shumti se shenjimi i kufirit me Malin e Zi duhet të përfundojë. Do të thotë të kemi ratifikimin e marrëveshjes përmes votimit. Unë besoj se do të kalojë, nuk kam hyrë në përllogaritje. Pres reflektimin e të gjithë kolegëve deputetë, që nesër bashkërisht të themi se mjaft e kemi vonuar, e të kryhet kjo çështje që është në interes të vendit”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli.

I pyetur se ku do të gjenden votat që mungojnë, Veseli nuk tha nëse do të vijnë nga “Lista Serbe” apo Vetëvendosja. Shifrat u konfirmuan edhe nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili numrat që mungojnë, ashtu si Veseli tha se shpreson se do të gjenden deri në seancë.

“Ne presim që nesër të fillojë seanca. Angazhimi i të gjithë ne është që të përfundojë me sukses, pra me ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin. Ju e dini që nevojiten 80 vota. Deri tani mund të themi që janë të konfirmuara 78, por deri në momentin kur të hidhet në votim do ta kemi shumicën e nevojshme për ratifikim të suksesshëm”, tha Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Ndërsa arritja e madhe pritet në seancën e radhës, kjo e fundit deri tani ka dështuar të mbahet dy herë.

Top Channel