Donald Trump e quajti burracak, pasi u mësua se roja i armatosur i shkollës së mësyrë nga një adoleshent në Florida nuk kishte hyrë në ndërtesë, edhe pse i dëgjoi krismat.
Scot Peterson tani po përpiqet të pastrojë figurën e tij, e përmes avokatit të tij Joseph DiRuzzo shpjegoi se shkak i mosndërhyrjes është bërë mendimi se të shtënat vinin nga jashtë ndërtesës.
Oficeri veteran ishte caktuar të mbronte gjimnazin ku u vranë 17 vetë. Ai dha dorëheqjen javën që shkoi, në vazhdën e valës së kritikave që u përplasën mbi të, përfshirë ato të vet shefit të Shtëpisë së Bardhë.
“Unë vet do të kisha hyrë në atë shkollë edhe i paarmatosur”, deklaroi Trump një ditë më parë.
Sherifi i Kontesë, Scott Israel e pezulloi Petersonin pa i dhënë as pagën.
“Pamjet nga vendi i ngjarjes më bënë të ndihem shumë keq e me pështjellim në stomak”, tha Israel.
Por avokati DiRuzzo e akuzoi sherifin se është treguar paragjykues, e ka dalë në përfundime të nxituara mbi sjelljen e rojes, që pretendon se fillimisht është lajmeruar për një shpërthim fishekzjarresh.
Zyra e Scott Israelit, megjithatë, nuk mjaftohet me kaq e është duke hetuar edhe arsyet përse 3 punonjës të saj kanë qëndruar jashtë ndërtesës, ndërsa brenda saj zhvillohej sulmi. Trumpi nuk i kurseu kritikat as për këta persona, duke thënë se nuk kishin brumin e atyre që fitojnë medalje nderi.
Top Channel