Të mërkurën, Kategoria Superiore do t’u rikthehet ndeshjeve për të rikuperuar javët e prapambetura. Ndeshja më e rëndësishme në letër është përballja mes Kukësit dhe Skënderbeut. Një vit më parë, ai ishte dueli për titullin kampion, ku verilindorët dolën fitues. Por këtë sezon, situatat janë ndryshe.
Skënderbeu, pas fitores që thelloi avantazhin në krye të klasifikimit me Partizanin, do të udhëtojë për në verilindje të vendit për t’u përballur me kampionët në fuqi, nëse ndeshja do të luhet, pasi ende ekziston rreziku për të mos u luajtur për shkak të dëborës, edhe pse vendasit janë munduar ta pastrojnë.
“Këto tri ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar ishim shumë pozitive për ne. Shpresoj të vazhdojë kështu edhe më Skënderbeun. Nuk dua të mendoj për mungesat e Skënderbeut. Për mua do të ishte më mirë që kundërshtari të ketë gjithmonë formacionin më të mirë në fushë, sepse kjo motivon më shumë ekipin”, thotë trajneri i Kukësit, Peter Pacult.
Gjithsesi, në rast se nuk do të luhet në Kukës, ndeshja mund të zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës, apo “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Me mungesa dhe në një pikë sforcimi duket Skënderbeu i Ilir Dajës përpara kësaj ndeshjeje.
“Ne në çdo ndeshje shkojmë për fitore, me cilindo ekip që luajmë. Të them të drejtën, nuk dimë mënyrë tjetër që të luajmë”, deklaron trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.
Ndërkohë Partizani, pas një kalendari të fortë me disa nga skuadrat e forta të kampionatit njëra pas tjetrës, këtë mesjavë do të përballet me Lushnjen e vendit të fundit.
“Nëse ka ndeshje delikate për ne, është ajo e Lushnjes. Është sikur luajmë me Realin e Madridit, sepse tri pikët janë njësoj”, thotë trajneri i Partizanit, Sulejman Starova.
Çiftet e tjera të mesjavës do të jenë Kamza-Teuta, Laçi-Vllaznia dhe ditën e enjte, Flamurtari-Luftëtari.
Top Channel