Icardi mendon për Milanin, por Sampaoli duket se “e përjashton” nga Rusi 2018

27/02/2018 21:52

Icardi duket se është gati për t’u vënë në dispozicion të Spallettit në sfidën e fundjavës që Interi do të zhvillojë ndaj Milanit, në derbin e shumëpritur të ditës së dielë që vlen shumë në garën për një vend në Championsin e vitit të ardhshëm.

Por, nga Argjentina nuk vijnë aspak lajme të mira. Siç raportojnë mediet e vendlindjes së tij, trajneri Sampaoli me shumë gjasa do ta lërë jashtë Botërorit “Rusi 2018” për shkak të problemeve të tij me shokët e skuadrës.

Maurito, i cili me Interin po hyn në tratativa të vështira edhe për rinovimin e kontratës përmes bashkëshortes-agjente Wanda Nara, duket se po paguan kështu çmimin e një rendimenti jo pozitiv me kombëtaren “albiceleste”, por edhe simpatinë e ulët ndaj tij që kanë shumica e lojtarëve të Argjentinës.

Ndoshta këtu mund të ketë kontribuar edhe deklarata e Diego Armando Maradonës, pak ditë më parë, kur kritikonte ashpër trajnerin Sampaoli që tentonte të grumbullonte Icardin, duke lënë jashtë Argjentinës lojtarë si Higuain, apo Aguero.

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, interesi për sulmuesin argjentinas nuk mungon e në garë për shërbimet e tij në verë janë vënë Reali, PSG-ja dhe Bayerni.

Por përpara gjithçkaje, sulmuesi dhe kapiteni i Interit duhet të fokusohet te përgatitja për ndeshjen e fundjavës, me Milanin që duket se është gati të ngushtojë edhe më tej distancën me zikaltrit dhe dy ekipet e tjera romane, për të shtuar shanset për vendin e 4-t në Serie A.

Top Channel