Hetimi i OKB-së: Koreja e Veriut, furnizuese e programit të armëve kimike të Sirisë

27/02/2018 21:14

Koreja e Veriut ka furnizuar përmes rrugëve detare qeverinë siriane, me disa pajisje që mund të përdoren në prodhimin e armëve kimike, pretendojnë disa ekspertë të Kombeve të Bashkuara.

Provat e kësaj lidhjeje të Koresë së Veriut me Sirinë vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë kanë akuzuar qeverinë siriane se ka përdorur armë kimike ndaj civilëve, përfshi këtu edhe sulmet e fundit ndaj tyre në periferinë e Damaskut, Ghoutën Lindore, ku dyshohet të jetë përdorur gazi klorin.

Furnizimet nga Koreja e Veriut përfshijnë pllaka rezistente ndaj acidit, valvula dhe termometra, sipas një raporti të hetuesve të Kombeve të Bashkuara.

Teknicienë raketash nga Veriu komunist janë pikasur gjithashtu të punojnë në disa mjedise të njohura të prodhimit të armëve kimike dhe raketave, brenda kufirit sirian, thuhet më tej në raportin e shkruar nga një panel ekspertësh që hetuan mbi përmbushjen e detyrimeve të Koresë së Veriut përballë sanksioneve të OKB-së.

Raporti thekson rrezikun potencial që përbën një tregti e tillë mes Sirisë dhe Koresë së Veriut, që mund t’i lejojë Sirisë të ruajë armët e saj kimike, ndërkohë që i ofron vendit të izoluar komunist parà “cash” në ndihmë të programeve raketore e bërthamore të saj.

Pjesët e mundshme të armëve kimike kanë qenë pjesë e të paktën 40 ngarkesave të shkuara të paraportuara nga Koreja e Veriut drejt Sirisë, mes viteve 2012-2017, ku përfshihen pjesë raketash balistike dhe materiale të tjera, të cilat mund të përdoren për qëllime ushtarake dhe civile, sipas raportit që nuk është publikuar ende, por që është parë nga “Neë York Times”.

Asnjë nga autorët e raportit apo pjesëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e kanë parë raportin, nuk kanë komentuar për të, sikurse as misioni i Shteteve të Bashkuara në këtë agjenci ndërkombëtare. Ende nuk dihet se kur apo nëse do të publikohet ky raport.

“Nuk di gjë në lidhje me datën e publikimit, nëse ka diçka të tillë”, tha Stephane Dujarric, një zëdhënës i OKB-së, pas kërkesës së reporterëve për reagim gjatë kësaj të marte. I pyetur për të komentuar raportin, ai tha: Mendoj se mesazhi gjithpërfshirës është se të gjitha vendet anëtare kanë detyrim dhe përgjegjësi për t’iu bindur sanksioneve që janë në fuqi.

Tetë ekspertët që përbëjnë këtë panel vijnë nga vende të ndryshme dhe ofrojnë ekspertizë specifike në fusha të tilla siç është ajo e armëve të shkatërrimit në masë, transportit detar dhe kontrolleve doganore. Që prej vitit 2010, paneli ka pasur një mandat nga Këshilli i Sigurimit për të hetuar mbi shkelje të mundshme të sanksioneve nga Koreja e Veriut dhe për t’i paraqitur gjetjet në një raport vjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA