Gjermani, fshati vendos të mbajë kambanën e Hitlerit

27/02/2018 19:08

Një fshat në Gjermani votoi për të mbatjur një kambanë kontradiktore kishe, mbi të cilën janë gdhendur një svastikë (simboli i kryqit nazist) dhe fjalët: Gjithçka për Atdheun – Adolf Hitler.

Këshilli i Famullisë së Herxheim am Berg tha se, kambana prej bronzi e kohës së nazizmit shërbente si një kujtesë e së shkuarës së errët të kombit.

Me 10 vota kundër dhe 3 pro, Këshilli hodhi poshtë propozimin për të hequr dhe zëvendësuar kambanën.

Ndërkohë, sipas medieve gjermane, disa besimtarë të zonës u alarmuan kur morën vesh se ishin martuar apo kishin pagëzuar fëmijët nën kambanën e Hitlerit.

Por, sipas Këshillit të Famullisë lokale, kjo relikë e epokës naziste, që gjendet në kishë që prej vitit 1934, duhet të qëndrojë aty si një shtysë për pajtim dhe një memorial kundër dhunës dhe padrejtësisë.

Deri vonë, askush nuk kishte dëgjuar për kambanën, e madje as për fshatin Herxheim am Berg, derisa një ish-muzikant i kishës u ankua për mbishkrimin mbi të.

Një pjesë e mirë e 700 banorëve të fshatit tashmë janë të shqetësuar se kambana mund të dëmtojë reputacionin e kishës dhe të tërheqë aty grupet neonaziste. Kambana u hesht shtatorin e shkuar, ndërsa pritej zgjidhja e problemit, por tashmë ajo mund të nisë të bjerë sërish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA