“Bukë vetëm gjermanëve”. Merkel reagon kundër përjashtimit të të huajve

27/02/2018 14:24

Debati që ndezi në Gjermani, vendimi i një banke të rëndësishme ushqimi për t’iu ndaluar të huajve vaktet falas, nuk e ka lënë indiferente Kancelaren Angela Merkel.

“Essener Tafel” e cilëson të përkohshme lëvizjen e saj e thotë se masa ishte një domosdoshmëri, duke qenë se niveli i të huajve që përdorin ushqimin e bankës së njohur për aktet e bamirësisë ishte rritur vitet e fundit në masën 75%.

Por jo të gjithë binden nga ky argument, siç u pa qartë nga shkrimet “naziste” të shfaqura në kamionët e saj të shpërndarjes. Merkeli nuk e fshehu pakënaqësinë me faktin që rregullat e reja të “Essener Tafel” kërkojnë nga personat në nevojë të paraqesin një pasaportë gjermane, nëse duan të marrin ushqim.

“Shërbimet bazike nuk mund të kryhen në bazë kategorizimesh të tilla. Kjo nuk është gjë e mirë. Ndërkohë, ato tregojnë nga ana tjetër sesa e lartë është trysnia në këtë rast dhe sa i madh numri i njerëzve të gjendur në vështirësi. Shpresoj të gjejmë një zgjidhje të mirë për këtë situatë, e cila të mos përjashtojë askënd”, tha Merkel.

Rreth 1.2 milionë azilkërkues hynë në Gjermani gjatë krizës së emigrantëve në vitet 2015-2016. Më shumë se gjysma e tyre vinin nga vende të gjunjëzuara prej konflikteve, si Siria, Iraku e Afganistani.

Fluksi rekord i të mbërriturve nxiti mbështetjen për partinë kundër emigrantëve, “Alternativa për Gjermaninë”. Ashtu siç mund të pritej prej saj, “AfD” e mbrojti politikën e bankës, duke shkruar në faqen e vet të “Facebook”-ut se “nazist është ai që e kundërshton këtë veprim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA