Qetësia ka rënë mbi enklavën rebele siriane të Ghoutës Lindore, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të përkohshëm, që synon t’u lejojë civilëve largimin nga rajoni i shënjestruar prej një ofensive të egër të ushtrisë siriane, me mbështetjen e Moskës.
Urdhrin e armëpushimit humanitar e dha Vladimir Putin, duke krijuar kështu mundësinë e një të ashtuquajture “dritare 5-orëshe”, gjë që i jep kështu një frymëmarrje banorëve të traumatizuar të zonës, ku vetëm përgjatë javës së kaluar janë vrarë mbi 500 vetë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu e kishte shpjeguar se, duke nisur nga e marta, pushimi i zjarrit i forcave ruse do të fillonte nga ora 9 paradite deri në 14. Urdhri i shefit të Kremlinit erdhi dy ditë pas fillimit të një armëpushimi të paqëndrueshëm 30-ditor në mbarë Sirinë, i kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Në Ghoutën Lindore, luftimet nuk kanë ndalur prej ditësh dhe vetëm të hënën, nga bombardimet gjetën vdekjen të paktën 10 vetë. Brenda enklavës, rreth 400 mijë persona janë nën rrethim, ndërsa ofensiva tashmë ka hyrë në javën e dytë.
Gjatë të gjithë konfliktit sirian, që filloi në vitin 2011, ka pasur disa propozime në Këshillin e Sigurimit për të mbajtur përgjegjes shkelësit e të drejtave të njeriut në Siri, por këto rezoluta janë bllokuar nga Rusia dhe Kina përmes forcës së vetos.
Top Channel