Mediat dhe tifozët e kanë shkarkuar prej kohësh, por tani janë drejtuesit e Arsenal që duhet të marrin hapin final: që pas 20 vjetësh t’i tregojnë derën francezit Arsene Wenger.
Humbja me Manchester City në finale e Kupës së Ligës ishte një sinjal që duket se paralajmëron fundin. Por duket se qëndrimi me shumë gjasa jashtë Champions League, por edhe përballja e vështirë që do të ketë në Europa League me Milanin janë indicie që të çojnë në një fund: Arsene Wenger duket ta ketë mbyllur ciklin dhe tani po mendohet për zëvëndësuesin.
Një ditë më parë emri që u lakua ishte ai ish-sulmuesit simbol të kësaj skuadre, i zbuluar pikërisht nga Wenger, Thierry Henry. Ish-sulmuesi francez ka mbështetje të madhe nga tifozët londinezë, por mungesa e eksperiencës nuk garanton besimin e drejtuesve. Prej kohësh është studiuar edhe emri i Luis Enrique, edhe pse spanjolli ka më shumë mundësi të bashkohet me skuadrën tjetër të Londrës, Chelsea.
E fundit që vjen nga tabloidet angleze është interesimi për ish-trajnerin e Bayern Munchen, Carlo Ancelotti. ‘Daily Star’ citon një burim të afërt të trajnerit italian, që në konfidencë ka deklaruar se mezi pret të rifillojë një detyrë në Premier League. 58-vjeçari prej muajit shtator është me pushime dhe Arsenal do të ishte vendi ideal për mënyrën e tij të punës.
Bossi i Arsenal, Stan Kroenke ka nisur ndërkohë konsultat me stafin e tij, si edhe ka ngritur një grup pune që të flasë me trajneri Ancelotti, për gatishmërinë e tij për t’u bërë pjesë e projektit të Arsenal.
Top Channel