Vaksina ndali Fruthin. Të prekur 164, por mund të ishin tre herë më shumë

26/02/2018 15:06

Rreziku i fruthit vazhdon të jetë i pranishëm dhe zyrtarisht Shqipëria konsiderohet në një moment shpërthimi epidemik. Të konfirmuar janë 164 raste. Por autoritetet preferojnë të flasin për një situatë nën kontroll, në sajë të vaksinimit masiv.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino thotë se nëse nuk do të ishte vaksinuar një pjesë e mirë e popullatës, fruthi do të ishte përhapur shumë më shpejt.

“Është kufizuar pasi që nga shfaqja do të kishim jo 160, por trefish më shume. Fruthi është një sëmundje ngjitëse që përhapet me shpjetësi marramendëse. Nëpërmjet ajrit dhe spërklave. Një i prekur me fruth infekton 12 deri në 20 të tjerë”, tha Silva Bino.

Zonja Bino përjashton mundësinë e infektimit të nxënësve të tjerë nga rastet e identifikuar në shkolla.

“Ka pasur në disa shkolla të Tiranës. Por nuk kanë mundur të infektojnë të tjerët, sepse i kemi vaksinuar brenda 72 orësh edhe nxënësit e tjerë”, thotë Bino.

Ndonëse është kundër masave mbrojtëse ekstreme, zonja Bino rekomandon që fëmijët e pavaksinuar të evitojnë ambientet me grumbullime masive, siç mund të jenë këndet publike të lodrave në ambiente të mbyllura. Kurse temperaturat e ulëta të kësaj jave janë të pafavorshme për të prekurit nga fruthi dhe gripi. Rekomandohet veçanërisht të konsumohen sa me shume lengje dhe të kihet kujdes me higjenën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA