Tingujt e alarmit janë ndezur te Paris Saint Germain. Ylli i skuadrës transalpine, Neymar nuk mundi dot të përfundojë sfidën me Marsejën, për shkak të një dëmtimi në kaviljen e djathtë, gjatë një dueli me Bouna Sarr për zotërimin e topit, dhe u largua nga fusha e lojës me barrelë mes lotëve.

Sulmuesi brazilian u dërgua në spital për të parë gjendjen e tij dhe mësohet se dëmtimi nuk është aq i rëndë sa u mendua. Megjithatë, prania e tij në ndeshjen me Realin e Madridit pas 9 ditësh është në dyshim, ndërkohë që ai nuk do të jetë në sfidat e radhës në Ligue 1.

Trajneri Unai Emery u shpreh optimist në konferencën për shtyp, në lidhje me praninë e Neymar në përballjen me Realin e Madridit. “Duket sikur Neymar ka ndrydhje të kaviljes, por duhen pritur ekzaminimet mjekësore. Ai është i qetë dhe duhet të tregojmë durim me të”, tha Emery.

Paris Saint Germain e fitoi sfidën me Olimpikun e Marsejës me rezultatin 3-0 dhe Emery i aktivizoi të tre sulmuesit kryesorë në këtë përballje. Mbappe, që u zëvendësua në minutën e 60 nga Di Maria, dhe Cavani ishin autorët e dy prej 3 golave të parizienëve. Goli tjetër ishte autogol i Rolandos së Marsejës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA