Houston Rockets nuk di të ndalet në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Skuadra teksane mposhti Denverin në “Pepsi Center”, 119-114, duke regjistruar fitoren e 12 radhazi.
James Harden ishte në formë të shkëlqyer në këtë përballje dhe këtë e tregojnë 41 pikët personale të shënuara, ndërkohë që mjaft mirë u paraqitën edhe Chris Paul e Trevor Ariza, që shënuan respektivisht 23 dhe 14 pikë. Pas kësaj fitoreje, Houstoni ruan kryesimin në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit.
Forma e mirë e LeBron James nuk i mjaftoi Cleveland Cavaliers në përballjen me San Antonio Spurs. “Mbreti” pati një bilanc me 33 pikë e 13 topa në tabelë në këtë përballje, të cilën në fund e fitoi skuadra e Gregg Popovich me rezultatin 110-94.
Për teksanët shkëlqeu Aldridge, me 27 pikë, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre në këtë sukses edhe Green, me 22 pikë, e Murray me 13. Për Clevelandin, përveç Jamesit, u paraqitën mirë edhe Clarkson me 17 pikë dhe Jeff Green me 14.
Me këtë rezultat, San Antonio, që është forca e tretë e Konferencës së Perëndimit i dha fund serisë prej 4 humbjeve radhazi.
Fitore shënoi edhe Charlotte, që në “Spectrum Center” mposhti Detroitin 114-98, duke shënuar fitoren e katërt radhazi. Këto dy skuadra, që luftojnë për një vend në zonën e “play off”-eve në Konferencën e Lindjes, zhvilluan një lojë të hapur, por ishte Charlotte ajo që kishte një marsh më shumë, teksa krijoi një avantazh prej 24 pikësh në fund të dy periodave të para, gjë që u mjaftoi “Hornets”-ave për të fituar sfidën.
Për Charlotte, më të mirët në parket ishin Walker me 17 pikë, Howard me 17 pikë e 12 topa në tabelë, e Batum me 15 pikë. Në krahun tjetër, te Detroiti spikati Blake Griffin me 20 pikë, ndërkohë që Drummond shënoi 14 pikë, shifra këto që gjithesi nuk iu mjaftuan “Pistons”-ave për të evituar humbjen.
Top Channel