Dëbora mbyll shkollat, fshatrat bllokohen në veri dhe jug-lindje

26/02/2018 15:11

Të gjitha shkollat në Dibër, Kukës, zonat e thella të Elbasanit e Librazhdit si dhe në Korçe kanë bërë mësim me orar të shkurtuar, ose nuk janë hapur fare për shkak se nxënësit nuk kanë mundur të shkojnë në mësim.

Rrugët rurale kanë qenë të pakalueshme për fëmijët e shkollave të Bulqizës dhe gjithë fshatrave dhe qyteteve të Qarkut të Dibrës.

Ndërsa në Qarkun e Korçës, në fshatrat e thella rrugët janë bërë të pakalueshme. Në Pogradec temperaturat nën zero dhe akulli penguan për disa orë edhe qarkullimin.

Situatë e rënduar ka qenë edhe për banorët e zonave të thella të Librazhdit. Rruga e Stëblevës kalohet me vështirësi. Në këtë zonë dëbora dhe temperaturat e ulta pothuajse e kanë ndaluar çdo aktivitet. Në rrugë nuk ka asnjeri dhe shkollat nuk janë hapur.

Rreshje debore ka patur edhe ne zonat e ulta.

Në Kukës, të gjitha rrugët rurale janë të pakalueshme. Prej mbrëmjes së të dielës, kur nisën reshjet, nuk është e mundur të lëvizet dhe asnjë shkollë nuk është hapur. E njëjta situatë edhe në Tropojë, ndërsa gjatë mëngjesit ka patur probleme edhe në Rrugën e Kombit për shkak të dëborës dhe akullit në rrugë.

Udhëtarët raportuan në Top Channel se rruga ishte e rrezikshme. Në punë janë futur borëpastrueset, të cilat vetëm afër mesditës rikthyen në normalitet lëvizjen e mjeteve, mëgjithatë kërkohet kujdes për shkak të akullit.

Në Gjirokastër ka patur dëborë vetëm në zonat e larta, por në zonat e banuara janë bërë problem rrëshqitjet e dherave në aksin nacional Gjirokastër – Tepelenë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA