Milani me Gattuson në stol vazhdon të bindë, këtë herë më shumë se kurrë më parë.
Kuqezinjtë janë hakmarrë ndaj Romës, duke triumfuar në “Olimpico” me të njëjtin rezultat që u mposhtën në fazën e parë, 0-2.
Patric Cutrone dhe Calabria i siguruan triumfin Milanit në sfidën e drejtpërdrejtë për Europën ndaj Romës.
Në pjesën e parë ishte Roma më kërkuese, edhe pse kontrolli i topit ishte i barabartë. verdhekuqtë krijuan disa raste për shënim, ndërsa në anën tjetër, Milani thuajse nuk e rrezikoi asnjëherë portën kundërshtare.
Por pjesa e dytë nisi tërësisht ndryshe. Suso shërbehet nga e djathta dhe lëshon një asist për Cutronen, i cili tregohet më i shpejtë se Manolas dhe me një prekje të lehtë e dërgon në rrjetë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Goli i parë u shoqërua edhe nga disa raste të tjera për shënim nga kuqezinjtë. Fillimisht Kesie e më pas edhe Calhanoglu shpërdoruan raste të mira për shënim.
Në minutën e 64, Roma largon Nainngolan, ndërsa aktivizohet boshnjaku Dzeko për t’i dhënë gjallëri fazës sulmuese të Romës.
Milani pati edhe një tjetër rast të artë me Kalinic, por goditja e tij u ndal nga një super Alison.
Por në të 74-tën, Alisson nuk pati asnjë mundësi reagimi ndaj goditjes së mrekullueshme të Calabrias, i cili e mposhti për herë të dytë.
Minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat, ndërsa Milani siguroi 3 pikë të artë, ndërsa prej 5 ndeshjesh nuk pëson gol.
Tashmë është një Milan i frikshëm para derbit ndaj Interit…
Top Channel