Dikur ajo ëndërronte që një ditë të mund të këndonte Cio-Cio-San-in në operën e famshme të Puccinit, “Madame Butterfly”.
Sot, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, jo vetëm e ka realizuar prej kohësh këtë ënderr, por roli i geishës japoneze është bërë një ndër rolet e lidhur ngushtë me emrin e sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare.
Në skenen e operës Metropolitan të New York-ut, sopranoja shqiptare ka korrur suksesin e saj të radhës me interpretimin e një prej roleve që i rri më fort për zemër.
Kritiket shkruajnë se ia ka vlejtur pritja e gjatë në radhë për të ndjekur live vokalin e Ermonela Jahos, në një shqiptim natyral të frazave, një prekje të notave të larta akute të pasforcuara, si një muzikë për veshin e publikut që e ka ndjekur me endje performancën e parë për këtë vit të artistes shqiptare në skenën amerikane.
“Madame Butterfly” dhe Ermonela Jaho do të ngjiten sërish në skenën e New Yorkut mbrëmjen e së hënës, për të vijuar edhe për 4 mbrëmje të tjera deri në mesin e muajit mars.
Top Channel