Fushatës së mbjelljes së pemëve i janë bashkuar edhe administratorët e zgjedhur të pallateve. Të organizuar në grupe pune, së bashku me banorët, ata po kontribuojnë çdo ditë për gjelbërimin e lagjeve dhe oborreve para pallatit.
Aksionit të sotëm në bllokun e pallateve pranë zonës së Astirit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj vlerësoi ndihmën e vyer të qytetarëve dhe ftoi edhe banorët e pallateve të tjera në kryeqytet që të bëhen pjesë e kësaj nisme, për një mjedis më të shëndetshëm për fëmijët.
“Jam shumë i lumtur sot që, në këto pallate të reja, me njerëz që kanë ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, po ndërtohet një komunitet. Komunitet nuk është vetëm kur e ke adresën në Tiranë, por kur bëhesh bashkë me komshinjtë, kur tregon solidaritet, kur jep e merr, kur bashkohesh me aksione si ky i gjelbërimit. Sikur të 5 mijë pallatet e Tiranës të mbjellin nga dhjetë pemë, do të kishim 50 mijë pemë në oborret e lagjeve tona”, u shpreh Veliaj.
Ai deklaroi se përtej bindjeve politike, të gjithë qytetarët mbështesin idenë që qyteti të ketë më shumë oksigjen. Duke theksuar se Tirana shtohet çdo ditë me rreth 70 qytetarë të rinj, që vendosin të ndërtojnë jetën e tyre në kryeqytet, Veliaj shtoi se nevojitet një emancipim më i madh për jetesën në komunitet.
“Njerëzit këtu mund të kenë bindje të ndryshme politike, por kur vjen puna tek gjelbërimi jemi në një parti, te partia e oksigjenit, partia e pemëve, e fëmijëve dhe e të ardhmes së këtij qyteti. Në Tiranën tonë që shtohet çdo ditë me 70 vetë, me nga 6-7 mijë apartamente, nuk e ndalojmë dot këtë trend, por mund të ndalojmë degradimin që kemi pasur më parë”, tha ai.
Kur kanë mbetur më pak se 30 ditë nga 21 marsi, kur Bashkia e Tiranës do të organizojë një aksion mbarëqytetar për mbjelljen e pemëve të reja, të cilat janë pjesë e projektit të Pyllit Orbital, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen kësaj nisme edhe për festat e 7-8 Marsit.
Top Channel