Një tjetër aksident tragjik i mori jetën dy personave të së njëjtës familjeje ndërsa i plagosur mbeti edhe një fëmijë 8 vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës, pranë kryqezimit të Malit te Robit ne aksin rrugor Plepa-Kavajë.
Xhemal Pisku dhe Edlira Pisku, vjehërr e nuse, me banim ne Golem e origjine nga Berati kishin dalë buzë rrugës për të udhëtuar me një nga autobuzat që lëvizin çdo ditë përgjatë këtij aksi drejt Jugut të vendit.
Por teksa prisnin, një automjet që udhëtonte në autostradë, humbi kontrollin dhe pasi u përplas me mbrojtëset anësore të rrugës, i mori përpara. Goditja rezultoi fatale për 69-vjeçarin dhe 34-vjeçaren ndërsa fatmirësisht fëmija 8 vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Fillimisht policia ndaloi Ilda Parrojin si drejtuesen e mjetit që shkaktoi aksidentin e rëndë por më pas nga hetimet rezultoi se ajo ishte pasagjere dhe se automjeti Toyota në të vërtetë drejtohej nga shtetasi Halil Koka, banues në Durrës.
Ky i fundit u arrestua në flagrancë ndërsa policia po heton arsyet se pse 40-vjeçari tentoi t’i kalojë autorësinë e fajit, femrës me të cilën udhëtonte dhe me të cilën kishte një lidhje intime.
Në vetëm një javë ky është aksidenti i 3-të i rëndë në vend duke e çuar në 8 numrin e viktimave gjatë ditëve të fundit. Të mërkurën një taksist dhe pasagjerja e tij humbën jetën në autostradën Tiranë-Durrës ndërsa të dielën e kaluar një aksident trragjik në Velipojë i mori jetën 4 anëtarë të familjes Preka. Edhe instituti i statistikave raportoi për një një rritje të numrit të aksidenteve gjatë muajit janar krahasuar me një vit më parë.
Top Channel