Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka njoftuar se 21 pjesëtarë të stafit të tij janë larguar nga detyra për veprime të pahijshme seksuale përgjatë 3 viteve të fundit.
Drejtori i përgjithshëm i ICRC-së, Yves Daccord tha se individët në fjalë kanë paguar për “shërbime seksuale” dhe kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar nga agjencia e ndihmës. Ai shtoi se ajo ishte “një ditë e vështirë, por e rëndësishme”.
Zbulimi vjen pasi sektori i ndihmës është tronditur nga një numër i pazakontë akuzash për abuzime seksuale dhe shfrytëzim nga punonjësit e tij.
Daccord tha më tej se, kanë qenë pikërisht raportimet më të fundit për ngacmime seksuale nga agjencitë humanitare, që nxitën ICRC-në me seli në Gjenevë të kryenin një hetim të brendshëm.
Kodi i sjelljes e ka të ndaluar në mënyrë të qartë “blerjen” e shërbimeve seksuale që prej vitit 2006.
Zbulimi i fundit vjen pas raporteve se Plani Ndërkombëtar, një fondacion bamirësie në ndihmë të fëmijëve, konfirmoi 6 raste abuzimi seksual dhe shfrytëzimi të miturish nga stafi ose bashkëpunëtorët e tjerë.
“Kam udhëzuar ekipet e mia të rrëmojnë në të dhënat që kemi mbi rastet e ngacmimeve seksuale, e mund t’iu them se që prej vitit 2015, ne kemi identifikuar 21 pjesëtarë të stafit që ose janë shkarkuar për pagesa për shërbime seksuale, ose kanë dhënë dorëheqjen gjatë hetimit të brendshëm”, tha Daccord.
Dy pjesëtarë të tjerë të stafit, që dyshoheshin për sjellje të pahijshme seksuale, nuk u janë rinovuar kontratat, deklaroi më tej ai, duke shtuar se “ishte thellësisht i zhgënjyer që raportonte këto shifra”.
Ai tha se ICRC-ja, me 17 mijë anëtarë stafi në mbarë botën, ishte e shqetësuar se incidentet duhej të ishin raportuar, por nuk ka ndodhur kështu, ose nuk janë trajtuar siç duheshin nëse janë raportuar.
Top Channel