Doktoresha Arjana Rreli prej 30 vjetësh punon si mjeke psikiatre, nga të cilat 8 vjet në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor numër 3 në Tiranë.
Në rrethinat e Tiranës me një popullsi prej 800 mijë banorësh ka vetëm 3 qendra të tilla.
Qendra 3 tek Poliklinika e Përgjithshme është më e madhja. Ajo ofron shërbime për 350 mijë banorë që vijnë që nga Tirana deri nga Shëngjergji, Zall Herri e Kamza. Me një llogari të thjeshtë një mjek psikiatër shërben për rreth 90 mijë qytetarë.
Në këtë qendër shërbejnë 4 mjekë psikiatër gjithsej, 3 për të rritur dhe 1 për fëmijë e adoleshentë. Është qendër ambulatore me psikologë, punonjës sociale, 8 infermierë që dalin në terren për të identifikuar raste të reja, ose për njerëz që nuk pranojnë të vijnë në qendër.
Këtu ofrohet terapi zhvillimi për fëmijë të prekur nga autizmi, me paaftësi intelektuale ose probleme të tjera të zhvillimit mendor.
Me shtimin e popullsisë rritet dita-ditës edhe fluksi i vizitave.
“Rreth 15 vizita kanë qenë gjithmonë, kurse tani rreth 30”, thotë doktoreshë Arjana.
Një qytetar orientohet tek qendra e Shëndetit mendor nëpërmjet mjekut të familjes ose një specialisti të fushës.
Pas derës ka vazhdimisht njerëz që presin të marrin një shërbim cilësor.
“Mbingarkesa është pa diskutim. Nëse flasim për standarde evropiane, një mjek psikiatër duhet të bënte 6 vizita në Ditë”, rrëfen dr. Arjana Rreli.
Vetëm për 2017 në këtë Qendër të Shëndetit Mendor u kryen rreth 9000 vizita nga të 4 mjekët psikiatër.
Por cila është diagnoza që has më shpesh në punën e saj doktoreshë Rreli?
“Ankthi, çrregullime të humorit, të personalitetit të të menduarit, por ankthi ka qenë dhe mbetet në vend të parë”, thotë doktoresha.
Ndërsa intervistojmë doktoreshën radha e pacientëve që presin pas dere vetëm shtohet. Një zonjë 35-vjeçare ka vizitën e radhës me psikiatren Rreli.
“Ulje në pozicion të punës dhe që ishte komplet jashtë profilit tim, kisha dhe të tjerat, divcorci, shtëpia me qira, vajza e vogël”, thotë ajo.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në gjithë Shqipërinë janë 9 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor bashkë me atë në Kavajë që pritet të nisë nga puna brenda këtij viti. Në to shërbejnë 20 mjekë psikiatër, një numër i pamjaftueshëm ky po sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për të përballuar fluksin e qytetarëve që më së shumti sipas statistikave, diagnostikohen me ankth e depresion.
Por në bazë të planit kombëtar 2013-2022, për Zhvillimin e Shërbimeve të Shëndetit Mendor numri i qëndrave komunitare planifikohet të dyfishohet brenda këtij harku kohor.
Top Channel