PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin “Brenda Parlamentit ne do ta përfundojmë shumë shpejt, është çështje ditësh”, do të theksonte për Top Channel, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Por duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç parashikonte ai.
Ratifikimi i marrëveshjes për shenjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, që konsiderohet edhe kushti kryesor që po mban peng liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, po rezulton shumë më i vështirë, e sipas gjasave nuk do të mundet të kalojë në Kuvend.
Seanca e jashtëzakonshme, që ishte parashikuar të mbahej të enjten, u shty fillimisht për të premten, por as sot nuk u arrit gjë. Pas debateve jo pak të nxehta, i vetmi akord mes forcave politike ishte ai, që seanca me një pikë të vetme në rendin e ditës të shtyhej sërish për të mërkurën e ardhshme, në orën 10:00, nisur nga atmosfera aspak e qetë në sallë, por edhe nga pasiguria për ta hedhur në votim marrëveshjen.
“Vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme do të jetë të mërkurën në orën 10:00”, do të thoshte përpara deputetëve kryeparlamentari Veseli.
LDK-ja është pro demarkacionit, por thotë se nuk do ta votojë nëse bashkëngjitur do të jetë edhe raporti i Komisionit shtetëror. Në anën tjetër, AAK thotë se do ta ratifikojë Demarkacionin, vetëm nëse projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.
Sidoqoftë, edhe nëse PDK, AAK, Nisma, LDK dhe pakicat joserbe bien në një mendje, nuk do të mund të sigurohen 80 votat e nevojshme, pasi subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Lista Serbe e kanë deklaruar votën e tyre kundër.
Top Channel