Dokumentet zyrtarë të rrjedhur nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se mirëmbajtja e sistemit të radarëve detarë është një histori e mbushur me tendera të dyshimtë dhe abuzime të mëdha financiare.
Saga nis në vitin 2011, kur pas largimit të gjigantit amerikan “Lockheed Martin” në lojë hyn kompania shqiptare “Idea Tel” me administrator Idlir Karkinin. Në gusht të vitit 2011 komanda e forcave detare përmes një tenderi të sekret i jep kompanisë “Idea Tel” mirëmbajtjen e radarëve një periudhë 4 mujore deri në fund të vitit me vlerë 487 mijë dollarë.
Ndërkohë për 2010-ën, sistemi ishte mirëmbajtur nga “Locked Martin” për të gjithë vitin me vetëm 330 mijë dollarë. Kontrata me “Idea Tel” e forcave detare u gjet në shkelje nga një audit i Ministrisë së Mbrojtës. Përveç shkeljeve financiare, kontrollet e mëvonshme për zbatimin e saj treguan se radarët nuk mirëmbaheshin siç duhej dhe disa prej tyre ishin jashtë funksionit.
Pas këtyre shkeljeve Ministria e Mbrojtjes e përjashtoi kompaninë nga pjesëmarrja në tenderin për radarët. Por “Idea Tel” rikthehet sërish në lojë në vitin 2013.
Në gusht të 2013-ës, kur kishin përfunduar zgjedhjet por ishte ende në pushtet qeveria e Partisë Demokratike, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një tjetër tender, këtë herë të hapur. Për mirëmbajtjen e radarëve dhe rivënien e tyre në gatishmëri të plotë me fond limit 560 mijë dollarë. Fituese u shpall kompania shqiptare “AR and TI”.
Por dy javë pas formimit të qeverisë, ish ministrja Mimi Kodheli e anuloi tenderin. Një muaj më vonë, qeveria miraton një vendim për ribërjen e tenderit, saktësisht me të njëjtin objekt, por fondi limit u rrit me 50 për qind nga 560 mijë dollarë në 850 mijë dollarë.
Tenderi sekret u bë pa garë, sipas një procedure ku ministria e mbrojtjes ftoi kompanitë e përzgjedhura nga vetë ajo që të bënin ofertë. Nga ftesat u përjashtua “Lockheed Martin” dhe tenderi u fitua pikërisht nga “Idea Tel” në një bashkëpunim të paqartë me italianen “Gem electronica”. Çmimi fitues rezultoi saktësisht sa fondi limit pra 850 mijë dollarë ose 50 për qind më i lartë nga tenderi i anuluar vetëm 4 muaj më parë. Ministria e Mbrojtjes jep pak të dhëna në lidhje me këtë kontratë sepse e klasifikon si sekret. Por ministrja Olta Xhaçka i tha “Top Channel” se kontratën e ka me kompaninë italiane “Gem Electronica”, edhe pse në të gjitha raportet e kontrollit rezulton vetëm emri i “Idea Tel” si partner në këtë tender.
Çështja e radarëve shpërtheu publikisht në vitin 2015 kur një audit i KLSH gjeti se procedura ishte e paligjshme. Sipas KLSH, Ministria e Mbrojtjes duhet të bënte tender të hapur dhe të thërriste në garë kompaninë “Locked Martin”, e cila përveçse ndërtuesja e sistemit më parë e kishte mirëmbajtur atë për vetëm 220 mijë dollarë në vit.
Por rritja e kostos nuk ka qenë abuzimi i vetëm në tender sipas institucioneve shtetërore. Më vonë një raport kontrolli i AKEP gjeti se një pjesë e madhe e radarëve të instaluar nga “Idea Tel” funksiononin në frekuenca të paautorizuara, ndërsa një audit i vetë Ministrisë së Mbrojtjes gjeti se funksionimi i radarëve ishte problematik.
Top Channel