Në orën 11:00 ishte paralajmëruar se do të fillonte seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të shqyrtohej projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shenjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, në sallën e Kuvendit mungonin deputetët e AAK-së, LDK-së, një pjesë e deputetëve të PDK-së, deputetët e pakënaqur të Vetëvendosjes dhe ata të Listës Serbe.

Vonesa u raportua se vinte për shkak të konsultimeve intensive mbi mënyrën sesi ishte prezantuar projektligji dhe memorandumi shpjegues, por pas disa orësh u njoftua se nuk do të kishte fare seancë, e se ajo ishte shtyrë për të premten në orën 10:00.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa kërkojnë të hiqet nga projektligji, raporti i Komisionit të ri shtetëror të Demarkacionit, të cilin e konsiderojnë të papërfunduar, ndërkohë që deputetë të AAK-së thonë se nuk do ta votojnë projektligjin nëse raporti hiqet.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur që më parë se nuk do ta votojë projektligjin, ndërsa në një deklaratë, edhe Lista Serbe ka marrë të njëjtin pozicion.

Për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, e siç duken gjasat vështirë se do të arrihen.

Demarkacioni është kushti që Bashkimi Europian i ka vendosur vendit për liberalizimin e vizave, ndërkohë që Kosova mbetet i vetmi shtet në Europë që ka ende një regjim vizash për lëvizjen në zonën “Schengen”.

Presidenti Hashim Thaçi u bëri thirrje deputetëve të ratifikojnë Demarkacionin, gjë që sipas tij do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës. “Vota për ratifikimin, – tha Thaçi, – është votë për lëvizjen e lirë dhe për Kosovën në Europë”. Të njëjtin apel ka përcjellë edhe ambasadori amerikan Greg Delawie.

Top Channel