Duket se po përshkallëzohet një tjetër tension mes të shumtëve që rrezikojnë stabilitetin dhe dialogun në Ballkan.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshjen mes Sllovenisë dhe Kroacisë, dy ish-republika jugosllave, të dyja anëtare të bashkimit evropian dhe aleancës së atlantikut verior, mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e lundrimit e peshkimit. Në qendër të mosmarrëveshjes është Gjiri i Piranos.

Qeveria sllovene është ankuar për mungesën e disponibilitetit dhe kompromiseve në negociata nga ana e Kroacisë dhe kërcënon t’i drejtohet instancave kompetente të unionit, duke përmendur edhe nene të traktateve evropiane që në raste të caktuara mund të çojnë edhe në kërkesën për të pezulluar të drejtën e votës së Kroacisë në takimet e BE-së.

Burime qeveritare nga Lubjana pohojnë se Zagrebi nuk pranon propozimin slloven për t’ia kaluar çështjen një gjykate ndërkombëtare arbitrazhi. Si pasojë, Lubjana kërcënon të reagojë. Sipas kryeministrit slloven, Miro Cerar, ekziston një vendim i dhënë vitin e kaluar nga Gjykata e Hagës, të cilit qeveria e Zagrebit e udhëhequr nga Andrei Plenkovic refuzon t’i bindet.

Lubjana mund t’i drejtohet fillimisht komisionit evropian dhe nëse brenda tre muajsh ai nuk reagon, Sllovenia mund të kërkojë një vendim të gjykatës evropiane të drejtësisë. Tensioni deri më tani ka qenë vetëm politik dhe verbal, por në shumë raste ka pasur fërkime në det mes anijeve të patrullimit apo peshkarexhave dhe rreziku i incidenteve serioze nuk mund të përjashtohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA