Krijimi i Bashkisë së Rrogozhinës, madje dhe me dalje në bregdet, ishte një nga 14 ndryshimet që ju bënë hartës territoriale në moment të fundit, pas deklarimit të votës së PDIU-së, së Shpëtim Idrizit pro ndarjes së re të territorit.
Opozita bojkotoi reformën, por Shpëtim Idrizi “dezertoi” nga ky qëndrim, duke marrë vendin e tij bosh në komisionin e posaçëm parlamentar. Idrizi ulet me kushtet e tij në tavolinë, por oreksi politik u hap edhe për PS dhe LSI. Publikisht këmbëngulja më e fortë e PDIU-së, përfaqësuese e komunitetit çam, ishte krijimi i bashkisë së Konispolit.
Në hartë u shtuan gjithsej 14 bashki, ku favorizoheshin nga pikëpamja elektorale, partia e Idrizit, PS dhe LSI. Ndërkohë PBDNJ e Dules u zemërua, pasi ra aspirata e tij për Himarën bashki minoritare, si Finiqi, Dropulli apo Pusteci. Gjithësesi ndër 61 bashki, mes tyre del edhe bashkia e re e Rrogozhinës, në qarkun e Tiranës.
Në hartën e saj të vjetër do ishte kryesisht bujqësore dhe blegtorale, por hartuesit menduan që kjo bashki të hynte në mes të Kavajës dhe Lushnjës për të dalë në det, në zonën e plazhit të Spillesë.
Atje prokuroria shpjegon se ka gjetur shkelje në dhënien e lejeve për ndërtime në bregdet. Për këtë arsye prokuroria futi kryebashkiakun e Rrogozhinës në listën e të hetuarve. Shtimi i bashkive të vogla, u komentua si një pazar mes aleatëve të socialisteve në pushtet.
Në zgjedhjet vendore të 2015-ës, një vit pas miratimit të Hartës së re të territorit, PDIU bëri negociata të gjata që veç bashkisë së Konispolit, të kandidonte njeriun e saj në Bashkinë e vogël të Rrogozhinës, tashmë me imazhin e ri turistik, si dhe bashkinë e Peqinit.
Kjo ishte zonë, ku rol dominant luante deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili garantonte për fitore dhe një prej fituesve ishte biznesmeni Beqir Nuredini në Rrogozhinë, të cilit aktualisht gjykata i ka bllokuar pasaportën.
Top Channel