Reagimi i Ambasadës Amerikane në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësis, ku foli për një President të përbashkët, ka mbërritur tri ditë më vonë.
“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, thuhet në deklaratën e ambasadës të shpërndarë përmes dy postimeve në Twitter.
I pari që reagoi ishte Komisioni Europian të hënën, kur zëdhënësja tha se deklarata të tilla, që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve.
Të martën Top Channel intervistoi Kryeministrin, i cili këmbënguli se fjalët e tij në Prishtinë ishin nxjerrë nga konteksti.
“Nuk bëra asnjë deklaratë! Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, deklaroi ai për Top Channel.
Top Channel