Mbetjet shqiptare në Kroaci, KE: Shqipëria duhet të përshtatet, nëse kërkon aderimin

21/02/2018 22:48

Çështja e mbetjeve shqiptare, që Adriatiku i dërgonte deri në brigjet kroate të Dubrovnikut, duke shkaktuar një katastrofë ekologjike, ka përfunduar në Komisionin Europian me një kërkesë nga Dubravka Suica e PPE-së që daton më 20 dhjetor, për të siguruar një përgjigje vetëm gjatë së martës.

“Për disa vite, brigjet e qytetit të Dubrovnikut janë ndeshur me një katastrofë ekologjike nga një sasi e pazakontë mbetjesh “notuese” që vijnë kryesisht nga Shqipëria. Në rastet e erërave të forta dhe shirave, krijohet një sasi e akumuluar mbetjesh në Portin e Dubrovnikut dhe në ishujt kroatë të Korculës, Mljetit, Sipatit, Kolocepit, Lastovos, Visit dhe Soltës, në gadishullin Peljesax dhe më gjerë. Pjesa dërrmuese e mbetjeve janë plastikë, që duket sikur ikën me kalimin e kohës, por mbetet në det për qindra vite në formën e mikroplastikës”, thuhet ndër të tjera në shkresën drejtuar Komisionit.

“Edhe pse Shqipëria ka firmosur Konventën për Mbrojtjen e Ambientit Detar dhe Rajonit Bregdetar të Mesdheut, sasia e mbetjeve që vijnë prej andej nuk është zvogëluar dhe po dëmton gjithnjë e më shumë bregdetin kroat, banorët e tij dhe florën e faunën bregdetare”, theksohet më tej, duke shtuar se Komisioni duhet të mbështesë zbatimin e Konventës, që përfshin masat e menaxhimit të mbetjeve, ndërsa vendet kandidate për aderim në BE janë të detyruara të aktualizojnë legjislacionin e BE-së për të qenë në harmoni të plotë me të.

“Duke parë se rregulloret ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar situatën e mbetjeve në Adriatik, një det i mbyllur, që kërcënohet nga një katastrofë ekologjike, i kërkoj Komisionit të adoptojë masa urgjente për të shpëtuar bregdetin e Dubrovnikut, sikurse edhe të gjithë Adriatikun”, shkruan Dubravka Suica.

Në këtë situatë, Komisioni ka dhënë një përgjigje, ku thekson se Shqipëria, edhe pse vend kandidat për anëtarësim, nuk është i detyruar nga legjislacioni i BE-së për mbrojtjen e ambientit.

“Zbatimi i plotë i Konventës – thuhet në mendimin e shprehur në përgjigje, – në bindjen e Komisionit do të sjellë një reduktim të qenësishëm të mbetjeve detare plastikë ose jo, dhe ndikimet e tyre në Mesdhe”.

Megjithatë, duke ditur aspiratat e vendit tonë për të aderuar në BE, “Shqipëria është e lutur të adaptojë në mënyrë progresive legjislacionin e saj me atë të BE-së dhe të garantojë situatën. Takimet e përvitshme ofrojnë mundësinë e monitorimit të progresit, e për t’u kujtuar se janë të nevojshme masa shtesë për menaxhimin e mbetjeve”.

Komisioni mbështet, edhe përmes mjeteve financiare, planin e aksioneve rajonale kundër mbetjeve në det dhe aksionet për të përballuar mbetjet që vijnë qoftë nga deti, ashtu edhe nga toka, përmes programeve të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA