Disiplina dënon Bakajn me dy ndeshje për fyerje ndaj tifozëve

21/02/2018 16:51

Fundi i tensionuar i ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit në Kategorinë Superiore regjistroi disa incidente në stadiumin “Selman Stërmasi”, mes të cilëve edhe përplasjen e Elis Bakajt me tifozët.

Mesfushori i Kukësit u zëvendësua në fundin e sfidës së fituar nga verilindorët, por ofendoi tifozët kryeqytetas, duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Tashmë, Disiplina e ka dënuar Elis Bakajn me dy ndeshje, duke i shtuar sanksioneve edhe një gjobë prej 100 mijë lekësh.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të dënojë gjithashtu mbështetësit e Partizanit me të njëjtën masë gjobe, për sjellje të gabuar në stadium.

Nuk i ka shpëtuar dënimit të Disiplinës edhe skuadra e Tiranës. Bardheblutë do ta luajnë pa tifozë ndeshjen e radhës kundër Apolonisë, për shkak të incidenteve në ndeshjen me Bylisin.

Ja vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës:
1. F.K “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur fjalë fyese dhe hedhur sende brenda rrethimit të lojës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lek
2. Lojtari i K.F “Kukësi”, Elis Bakaj, për provokim të publikut me fjalë dhe xheste ofenduese, në bazë të nenit 53 të KDS, dënohet me pezullim nga gara për 2 (dy) ndeshje dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lek.
3. KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shpalosur parulla në ndeshjes kundër K.F “Bylis” të datës 18.02.2018, në bazë të nenit 66/2 dhe 66/3.a) të KDS, dënohet me zhvillimin e ndeshjes së radhës kundër KF “Apollonia” pa pjesëmarrjen e grupit të tyre të spektatorëve.
4. Lojtari i KF “Tomorri”,Aristotel Koleci, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 48/1.e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
5. Lojtari i KF “Apollonia”,Aldo Llambro, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 48/1/e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
6. Lojtari i KF “Turbina” Eyoh Effion Ekemini, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1.e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
7. Zyrtar i i K.F “Shkumbini”, Astrit Isai, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe mos respektim të Vendimit të Komisionit të Disiplinës, në bazë të nenit 49/2/a) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe 100.000 (njëqindmijë) Lek gjobë. Në zbatim të nenit 136/1/a) të KDS gjoba të ekzekutohet në masën 50%. Në zbatim të nenit 20 të KDS Zyrtarit Astrit Isai i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes, stoli i rezervave dhe territori përreth fushës së lojës.
8. KF “Naftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 66/3/a) të KDS, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorë.
9. KF “Butrinti”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ofenduar në mënyrë të përsëritur me fjalë fyese e duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të nenit 66/3/b) të KDS, dënohet zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.
10. Lojtari i KS “Kastrioti” U-17, Florian Hidri, për prostesta me fjalë ofenduese ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lek. Në aplikim të Nenit 136 të KDS, gjoba paguhet në masën 3%.
11. Lojtari i KS “Kastrioti” U-17, Andi Doku, për protesta me fjalë ofenduese ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lek. Në aplikim të Nenit 136 të KDS, gjoba paguhet në masën 3%.
12. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF “Domosdova”,Erjon Duka dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 33/4 të KDS, lojtari Erjon Duka vendoset në provë për një periudhë 6 mujore.
13. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF “Delvina”,Ardian Xhibro dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 33/4 të KDS, lojtari Ardian Xhibro vendoset në provë për një periudhë 6 mujore.

Top Channel